Gazetari Eraldo Harlicaj zbulon hap pas hapi vu ajtjet që heqin shqiptarët e shkretë për të shkuar në Angli


Ëndrra amerikane mesa duket është zëvendësuar me ëndrrën angleze për shqiptarët.Kjo pasi numri i shqiptareve që shkojnë ilegalisht me gomone në Britaninë e Madhe është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit.

Sipas statistikave zyrtare nga Britania e Madhe, shqiptarët përbëjnë rreth 30% të emigrantëve ilegalë, që kanë shkuar me gomone këtë vit në Angli nëpërmjet kanalit të La Manshit. Katër nga 10 emigrantë që kalojnë në mënyrë ilegale vijnë nga Shqipëria, kështu kanë raportuar mediet britanike.

Pas transmetimit të puntatës së parë, këtë herë “Piranjat” nën moderimin e Florjan Binajt dhe Arilena Arës vijnë me një investigim të thelluar, ku tregojnë hap pas hapi sfidat që përjetojnë shqiptarët për të shkuar në Angli.

Gazetari i “Piranjave” Eraldo Harlicaj u bë emigrant për një javë. Ai bëri të njëjtin udhëtim dhe kaloi të njëjtat vështirësi si çdo shqiptar që shkon në drejtim të Britanisë.

Piranjat kanë dokumentuar kalvarin e shqiptarëve për në Britani. Për të ndërmarrë këtë aventurë të mundimshme shqiptarët udhëtojnë me autobus drejt Brukselit, pika e parë e grumbullimit të shqiptarëve.

Itinerari që ndjek autobusi Shqipëri-Bruksel nuk është aspak i zakontë. Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut- Serbi-Hungari-Gjermani dhe në fund Belgjikë, plot 2236 kilometra.

I gjithë devijimi bëhet për arsye të thjeshtë, sepse në kufirin hungarez kontrollet nuk janë aq të rrepta, e për pasojë askush nuk vë në pikëpyetje dyndjen e madhe të shqiptarëve që përpiqen të shkojnë drejt vendeve të BE-së. gjithashtu rreziku për tu kthyer mbrapsht është i vogël.

Gazetari i “Piranjave” vëren se shumica e shqiptarëve që shkojnë drejt Brukselit janë të rinj. Nga Brukseli shqiptarët shkojnë më pas te kanali i La Manshit në Francë për ta kaluar me gomone, në mënyrë që të mbërrijnë në tokën britanike.

Zbulimet për mënyrën se si funksion trafikimi nuk kanë fund. “Piranja” Eraldo Harlicaj thotë se trafikantët rekrutojnë emigrantët ilegalë për punën e skafistit.

Këta të fundit në pamundësi ekonomike vetëofrohen për tu bërë skafiste, pa ditur as bazat më elementare të lundrimit. Me të mbërritur në Bruksel shqiptarët shkojnë në një hotel, madje recepsionistët e dinë arsyen e mbërritjes së shqiptarëve atje, teksa u japin udhëzime për transportin.

Pasi kalojnë natën në hotel shqiptarët përpiqen të gjejnë kontakte për taksi për të shkuar te kanali i La Manshit. Me të mbërritur në bregun francez, shqiptaret hipin në gomone për të shkuar në destinacionin final, Britaninë e Madhe. /Abcnews.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *