Konfiskohet pallati 9 katësh i milionerit, pronari i RADISSON-it te Liqeni i Thatë do paguajë gjobën për çdo metër katror (DETAJET)


Është konfiskuar me vendim të qeverisë pallati i parë i ndërtuar pa leje në Tiranë, pas vendimit të qeverisë që parashikon sekuestrimin dhe përdorimin e kateve dhe shtesave pa leje për interes publik.

Pallati 9-katësh që ndodhet në Farkë, një zonë tepër e lakmuar në kryeqytet, është ndërtuar i gjithi pa leje, përkatësisht dy kate nën tokë dhe shtatë kate mbi tokë.

Ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shfaq sot në ambientet e pallatit duke njoftuar konfiskimin. Ajo e quajti si “rasti më flagrant” i ndërtimit pa leje në Tiranë.

Newsbomb.al mëson se pallati është në pronësi të biznesmenit të njohur Lul Morina, dhe ndodhet përballë një tjetër biznesi të tij, Hotel Radison Morina.

Megjithatë, për të pastrehët që ëndërrojnë të pajisen me apartament falas nga qeveria, duket se ka lajme të këqija. Biznesmeni Morina do të paguajë gjobën, siç e parashikon VKM-ja e qeverisë, për çdo metër katror, në mënyrë që të shmangë sekuestrimin e plotë të godinës.

Kështu, atij do t’i duhet të paguajë gjobën prej 35.000 lekë për metër katror. Vetëm mospagimi i shumës mund të çojë në sekuestrimin e ndërtesës, qoftë kate pa leje, apo edhe shtesa pa leje.

Këto nene kanë ekzistuar në ligjin për “Zhvillimin e Territorit” por nuk janë zbatuar. Mesa duket tashmë qeveria ka ngritur mekanizmin për identifikimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin dhe për rrjedhojë vjeljen e gjobave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *